Kërkimi shkencor është një nga misionet kryesore të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe sëbashku me transferimin e teknologjive dhe inovacionin vlerësohen si faktorë themelorë për një ekonomi të orientuar nga dijet.

Njësitë kryesore dhe bazë që janë pjesë përbërëse të UBT-së kryejnë veprimtari kërkimore-shkencore bazë ose të zbatuara, studime, projekte për zhvillim dhe veprimtari të tjera krijuese, sipas natyrës dhe objektivave specifikë të institucionit. Veprimtaria kërkimore-shkencore,që kryhet në këto njësi, synon të mbështesë zhvillimin e vendit dhe rritjen e cilësisë së arsimit. Nëpërmjet veprimtarisë kërkimore-shkencore personeli akademik dhe studentët fitojnë aftësi për kërkime të pavarura, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm profesional dhe karrierës akademike. Cilësia dhe thellësia e programeve të studimit dhe kërkimit akademik përcaktojnë fuqimisht reputacionin dhe prestigjin e UBT-së. Universiteti Bujqësor i Tiranës kryen kërkim dhe edukime dhe pse fokusi dhe balanca e këtyre aktiviteteve paraqet variacion.

 

Synimi i UBT-së si qendra e vetme e edukimit dhe kërkimit në fushën e shkencave bujqësore është të ofrojmë mësim dhe kërkim inovativ dhe kjo është plotësisht e mundshme falë stafit akademik profesionist, si dhe infrastrukturës apo bazës laboratorike të admirueshme që disponon UBT, e cila është fuqizuar vazhdimisht falë projekteve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Principet mbi të cilat UBT mbështetet për realizimin e objektivave të kërkimit shkencor janë ato që rekomandohen sipas ERA Principles si më poshtë:

 

  1. Kërkim më efektiv duke u ballafaquar me konkurencën në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar nëpërmjet (i) maksimalizim të eficiencës së parave publike të investuara, (i) konkurim në programe ndërkombëtare duke nxitur konkurencën e kërkuesve dhe përmirësuar financimet dhe (iii) vlerësim të cilësisë nga organizma/trupa/institucione ndërkombëtare të cilat mbështeten në metrika ndërkombëtare (international metric).

 

  1. Optimizim të bashkëpunimit ndërkombëtar në kushte konkurence nëpërmjet forcimit të lidhjeve më vendet kufitare dhe benefiteve që vijnë nga programet rajonale.

 

  1. Lehtësim i lëvizshmërisë, trajnim dhe karrierë për studiuesit dhe përdorimi i njohurive nëpërmjet transferimit të tyre.

 

Në dy dekadat e fundit në UBT ka patur ndryshime pozitive në strukturë, fokusin dhe objektivat e kërkimit.

Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë (2007) dhe strategjisë së kërkimit (2009) pjesa më e madhe e Instituteve të kërkimit në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit (Instituti i Mbrojtjes së Bimëve, Peshkimit, Ushqimit, Pyjeve, Zooteknisë) kaluan në struktura të UBT-s (2009), si njësi bazë ose pjesë të grupeve mësimore kërkimore në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, dhe Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Teknologjisë Ushqimore, duke i fuqizuar departamentet pritëse me kërkues dhe bazë laboratorike.

Sipas Ligjit dhe Statutit të UBT-s kërkimi kryhet nga Departamentet dhe e koordinuar nga zyra e Zv/Dekanit për Kërkimin Shkencor ndërsa në nivel universiteti puna kërkimore koordinohet dhe orientohet nga Zv/Rektori për Kërkimin Shkencori mbështetur nga Dega e Kërkimit dhe Kooperimit Shkencor dhe Projekteve. Struktura të tjera të Rektoratit mbështetin gjithashtu kërkimin (Zyra e Marrëdhënieve me Biznesin, Zyra e Karrierës dhe Marrëdhënieve me Publikun).

Objekti i punës kërkimore shkencore në UBT është përqendruar në: kryerjen e kërkimit të aplikuar, inovacionit dhe teknologjive dhe rankimin e Universitetit si lider dhe si referencë në kërkim në nivel kombëtar dhe rajonal.

UBT aktualisht përballet me një mori sfidash e dilemash të zhvillimit bujqësor në tërësi dhe për pasojë duhet të gjejë mënyrën më të mirë të organizimit për ta ngritur kërkimin shkencor në nivelin e standardeve bashkëkohore. Njëkohësisht, për të qenë sa më atraktivë në ekonominë reale, tematikat e kërkimit shkencor duhet të jenë të tilla që t’i përgjigjen strategjisë së kërkimit shkencor të vendit. UBT duhet të luajë rolin e liderit në zhvillimin teknologjik dhe kërkimin shkencor në fushat e bujqësisë, ekonomisë, veterinarisë, agromjedisit, pyjeve etj. Ai duhet të kthehet në një institucion që të organizojë trajnime, ekspertiza, të cilët duhet të jenë pjesë e politik-bërjes për bujqësinë. Për këtë në mënyrë të vazhdueshme punojnë që:

  • të përmirësohet në mënyrë të vazhduar cilësia e kërkimit
  • të ngrihet profili ndërkombëtar i kërkimit,
  • të nxiten lidhjet kërkimore shumë disiplinore dhe ndër disiplinore
  • të nxitet transferimi i teknologjive

Si detyrë e rëndësishme e UBT-së, për kërkim dhe zhvillim, është nxitja dhe mbështetja e transferimit të njohurive dhe teknologjive nga Universiteti drejt botës së biznesit. Universiteti dhe njësitë e tij përbërëset janë të përfshira në marrëdhënie bashkëpunimi reciproke me universitete të tjera, me institucione dhe organizata të sektorit privat dhe publik. Vlen për tu theksuar se bashkëpunimi me Universitetet e tjera brenda dhe jashtë vendit po forcohet, si rrjedhojë e përfshirjes në projekte të përbashkëta kërkimore të financuara nga qeveritë e vendeve të tjera dhe organizata e institucione ndërkombëtare.

Lajmerime

Projekte