VIZIONI DHE MISIONI I FAKULTETIT TE BUJQESISE DHE MJEDISIT

Vizioni:

Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit (FBM) synon të shndërrohet në një qendër bashkëkohore e edukimit universitar, pasuniversitar, kërkimit shkencor  dhe trajnimit për përgatitjen e specialistëve të fushës së bujqësisë, mjedisit dhe ushqimit. FBM synon të kthehet në një pikë referimi për zhvillimin rural dhe të bujqësisë duke kontribuar drejtpërdrejt në integrimin evropian të vendit.

Misioni: Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit ka për mision të realizojë arsimimin universitar dhe profesional të specialistëve të fushës së bujqësisë dhe mjedisit, të promovojë fakultetet në përbërje të tij si dhe stafin akademik, në forma të ndryshme që ndikojnë drejt përballimit të sfidave të kohës si: parashikimi i burimeve ushqimore, zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë, mbrojtja dhe rigjenerimi i burimeve, përdorimi racional i burimeve prodhuese, sigurimi i produkteve ekologjikisht të pastra, siguria ushqimore etj, përmes pjesëmarrjes aktive të studentëve dhe të gjithë stafit akademik në programe më të avancuara të arsimimit, kërkimit dhe trajnimit në bujqësi.

FBM luan një rol esencial në të katër dimensionet e nje universiteti modern: 

•transmeton dijen te studentët nëpërmjet metodave moderne pedagogjike;

•krijon dijen nëpërmjet kërkimit shkencor dhe e vë atë në funksion të përmirësimit të mësimdhënies;

•ndihmon në zgjidhjen e problemeve të vendit në fushën e mjedisit duke aplikuar rezultatet e kërkimit shkencor;

•bën të gjitha përpjekjet që specialistët dhe profesionistët e rinj të dalë nga programet e FBM të jenë edhe qytetarë të denjë të Evropës.

FBM ofron programe akademike bashkëkohore që demonstrojnë mirëkuptim dhe zhvillim në:

•Formimin universitar, i cili garanton një orientim  në mbështetje të njohurive në fushën e bujqësisë, mjedisit dhe ushqimit.
•Formimin pasuniversitar, i cili garanton njohuri të thella profesionale përmes programeve të avancuara që i përgatisin studentët për të kontribuar me kompetencë të lartë në fushat e tyre.
•Formimin universitar dhe profesional të kontingjenteve të studentëve dhe gjithë specialistëve që dëshirojnë të kenë shumëllojshmëri edukimi në vazhdimësi përmes mundësive qe ju krijohen me kurset e trajnimit.