Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit ofron programet mësimore:

  • Cikli i Parë i Studimeve në “Inxhinieri Agrare”, profili “Akuakulturë dhe Menaxhim Peshkimi”
  • Cikli i Dytë i Studimeve në “Inxhinieri Agrare” profili “Akuakulturë”

Bachelor

Inxhinieri Agrare:  Akuakulturë dhe Menaxhim Peshkimi

Objektivat  e programit:

  • Siguron bazën arsimore për studentët që dëshirojnë të bëjnë karrierë si specialistë të akuakulturës dhe peshkimit me një sfond të fortë në menaxhimin e burimeve të akuakulturës dhe atyre peshkore.
  • I jep mundësinë të diplomuarve të suksesshëm të thellojnë njohuritë e tyre në studimet Master.
  • I pajis të diplomuarit me njohuri dhe aftësi për të luajtur një rol aktiv në ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Për përmbushjen e objektivave të këtij programi studimi, kurrikula mësimore e tij përfshin:

  • Module bazë që ndihmojnë në të kuptuarin e komponentëve biologjikë dhe ndërveprimeve të tyre me mjedisin.
  • Module që përfshijnë biologjinë dhe fiziologjinë e organizmave ujore, bioteknologjinë dhe përmirësimin gjenetik në akuakulturë, të ushqyerit dhe ushqimet e peshqve të kultivuar dhe patologjitë e tyre.
  • Module me theks të veçantë në teknologjitë e prodhimit në akuakulturë: projektimin, ndërtimin, funksionimin dhe menaxhimin e njësive të akuakulturës, të prodhimit të rasateve dhe akuariumeve.
  • Module që japin njohuri mbi shkencën e peshkimit, mekanizimin në peshkim, menaxhimin e ndërmarrjeve të peshkimit dhe sektorit të peshkimit në përgjithësi.
  • Praktikën profesionale, të cilën studentët e zhvillojnë në njësitë e akuakulturës, prodhimit të rasateve, në entet e kontrrollit dhe të zbatimit të politikave në fushën e akuakulturës dhe peshkimit

Çdo modul përbëhet nga pjesa teorike dhe praktike. Pjesa teorike ofron njohuri të gjera për çështje të caktuara. Pjesa praktike kryhet në laboratore apo në terren dhe ka për qëllim stervitjen e studentëve me teknikat e ndryshme, zhvillimin e aftësisve praktike dhe aftësimin në hartimin e raporteve.

Mbajtësi i kësaj diplome mund të punojë si specialist apo menaxher në:

  • Fermat e akuakulturës detare dhe ato të ujërave të brendshme.
  • Flotën e peshkimit detar dhe në peshkimin në ujërat e brendshëm.
  • Në shërbime që mbështesin aktivitetin e akuakulturës dhe peshkimit si sigurimi i pajisjeve dhe ushqimeve, përpunimi dhe transformimi i prodhimeve të akuakulturës & peshkimit, tregëtimi dhe marketingu i tyre, etj.
  • Në inspektoriatin e akuakulturës dhe peshkimit.
  • Në agjencitë publike/private dhe shoqatat që kanë në fokus ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

Të diplomuarit në “Akuakulturë dhe Menaxhim Peshkim” zotërojnë këto kompetenca profesionale:

  • Zbatimi dhe menaxhimi i sistemeve të prodhimit në fermat e akuakulturës detare dhe ato të ujërave të brendshme.
  • Menaxhimi i aktivitetit të peshkimit detar, bregdetar, në ujërat e brendshëm dhe peshkimit sportiv.
  • Projektimi i akuariumeve dhe kultivimi i peshqve dekorativë.
  • Sigurimi i shëndetit të organizmave peshkore dhe parandalimi i sëmundjeve në sistemet e akuakulturës.
  • Sigurimi i cilësisë së produkteve të akuakulturës dhe peshkimit.

Master Shkencor

Inxhinieri Agrare:  Akuakulturë

Objektivat  e programit të studimit:

  • Pregatitja e specialistëve të aftë për zbatimin dhe menaxhimin e teknologjive të kultivimit të llojeve peshkore dhe menaxhimin e aktivitetit të peshkimit.
  • Pregatitja e specialistëve të aftë për hartimin e planeve të menaxhimit dhe politikave të sektorit të akuakulturës dhe peshkimit.
  • Pajisja e studentëve me njohuri të thelluara në teknologjitë e përpunimit dhe sigurinë ushqimore të produkteve peshkore dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.
  • Aftësimi i studentëve për të kryer kërkime, si edhe për të shkruar dhe vlerësuar dokumente shkencore në fushën e akuakulturës dhe peshkimit.

Mbajtësi i kësaj diplome mund të punojë në profesion në:

Sektorin privat:

Fermat e akuakulturës detare dhe ato të ujërave të brendshme.

Flotën e peshkimit detar dhe në peshkimin në ujërat e brendshëm.

Në shërbime që mbështesin aktivitetin e akuakulturës dhe peshkimit si sigurimi i pajisjeve dhe ushqimeve, përpunimi dhe transformimi i prodhimeve të akuakulturës & peshkimit, tregëtimi dhe marketingu i tyre, etj.

Në sektorin publik/shtetëror

  • Në Inspektoriatin Lokal dhe Qendror të Akuakulturës dhe Peshkimit, si edhe në Insperktoriatin Mjedisor
  • Në Drejtoritë e Bujqësisë/ Akuakulturës & Peshkimit (nivel lokal /qendror)
  • Në agjencitë publike dhe shoqatat që kanë në fokus menaxhimin e burimeve ujore, ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.
  • Kërkues në fushën e shfrytëzimit të burimeve ujore, akuakulturës dhe peshkimit në Institute Kërkimore dhe Universitete.

Kompetencat profesionale të të diplomuarve në Master Shkencor në Akuakulturë

  • Projektimi, zbatimi dhe menaxhimi i sistemeve të prodhimit në fermat e akuakulturës detare dhe ato të ujërave të brendshme.
  • Sigurimi i shëndetit të organizmave peshkore në sistemet e akuakulturës.
  • Sigurimi i cilësisë dhe siguria e produkteve të akuakulturës dhe peshkimit.
  • Hartimi dhe zbatimi i programeve të përmirësimit gjenetik të llojeve që kultivohen në akuakulturë.
  • Projektimi i akuariumeve dhe kultivimi i peshqve dekorativë.
  • Hartimi i planeve të menaxhimit dhe menaxhimi i aktivitetit të peshkimit detar, bregdetar, në ujërat e brendshëm dhe peshkimit sportiv.
  • Projektimi i mjeteve të peshkimit artizanal dhe profesional.
  • Vlerësimi i rezervave peshkore dhe hartimi i planeve të menaxhimit për shfrytëzimin e qëndrueshëm të tyre.
  • Vlerësimi i cilësisë së ujërave dhe bentosit, vlerësimi i zonave të peshkimit dhe atyre të zhvillimit të akuakulturës si dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis të aktivitetit të akuakulturës dhe peshkimit.