Nënshkruhet Bashkëpunimi midis UBT dhe FAO

12 tetor 2017, Tiranë – Përfaqësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi në Shqipëri, Z. Raimund Jehle gjatë një vizite dy ditore në vend, në kuadër të axhendës së tij, zhvilloi një takim në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) ku u prit në ambjentet e Rektoratit nga Z. Bari Musabelliu, Rektor i këtij Universiteti.

Në takim u bë një përshkrim i fushave më të rëndësishme të bashkëpunimit ku të dy këto institucione mund të shkëmbejnë ide dhe të kenë rezultate konkrete. Bashkëpunimi midis FAO-s dhe UBT-së do të ndihmojë që të sjellë kontributin e tyre të përbashkët më afër prioriteteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe zbatimit të kërkesave të axhendës për integrimin europian. Bashkëpunimi dhe lidhja e Ministrisë me botën akademike do të rrisë potencialin për analizat dhe hartimin e politikave bujqësore si dhe fokusimin e përpjekjeve në arritjen e standardeve të larta dhe rritjen e impaktit te fermerët pasi ushqimi dhe bujqësia përbëjnë një nga kapitujt kryesorë në përmbushjen e kritereve për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Duke pasur në fokus kryesor interesin e përbashkët për të mbështetur përpjekjet kombëtare në përmbushjen e Axhendës së Zhvillimit 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për arritjen e sigurisë ushqimore, përmirësimin e ushqyerjes dhe promovimin e bujqësisë së qëndrueshme u nënshkrua një letër bashkëpunimi për të siguruar dhe zhvilluar më tej ndërveprimin midis Përfaqësisë së FAO në Shqipëri dhe UBT. Për këtë qëllim u nëshkrua një Letër Bashkëpunimi, që do të formalizojë këtë bashkëpunim institucional në një nivel të ri përmes konsultimeve, koordinimit të punës, asistencës reciproke dhe veprimeve të përbashkëta në interes dhe në përputhje me objektivat dhe parimet e FAO dhe UBT.

Në vijim të nënshkrimit Z. Jehle mbajti një leksion me temë Gjendja e Sigurisë Botërore dhe Problematikat e Ushqyerjes në Botë parë në dritën e ndryshimeve klimatike, ku renditi një sërë vlerësimesh të përditësuara të numrit dhe përpjesëtimit të njerëzve të uritur apo kequshqyer në planet dhe të dhëna në nivel botëror, rajonal dhe kombëtar. Gjithashtu ai foli mbi ndryshimet e rëndësishme sociale në botë që ndikojnë në sigurinë ushqimore dhe të ushqyerin e njerëzve bazuar në gjetjet e raportit vjetor të Gjendjes së Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë, duke pasqyruar këndvështrimin e ri të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm mbi urinë dhe format e kequshqyerjes.

Raporti i konsoliduar mbi ecurinë e bërë për zhdukjen e urisë dhe kequshqyerjes në 2030, përfshin matje të përmirësuara për të përllogaritur dhe vlerësuar urinë, duke përfshirë dy tregues për pasigurinë ushqimore dhe gjashtë tregues për ushqyerjen, është përgatitur nga puna e përbashkët e Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë e Kombeve të Bashkuara (FAO), Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), dhe Programin Botëror të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin (WFP), Fondi i Emergjencës për Fëmijët i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).

“Dua t’i inkurajoj dhe tërheq vëmendjen e studentëve dhe stafit akademik, mbi rolin e rëndësishëm që luan sektori bujqësor në sigurinë botërore.” tha Z. Jehle në përmbyllje të fjalës së tij.